Zgjidh Kategori:    Zgjidh Institucion:    Zgjidh llojin:
KATEGORITE

Sondazh

Si ju duket fco.al


  Shume Mire

  Mire

  Duhen Ndryshime

  Keq

  Shume keq

  Nuk e di


  

  

Pas vendimi për shkurtimin e fondeve buxhetore, Ministria e Financave ka nxjerrë edhe udhëzimin se ku do të nxirren këto para. Me poshte gjeni udhëzimin e ri, i cili ndalon përfundimisht pagesën e orëve shtesë të punëve. Sipas dokumentit, i cili është në fuqi nga data 20 korrik, drejtuesit e institucioneve mund t’i kërkojnë punonjësve buxhetorë  që këto të fundit të punojnë jashtë orarit, por këta të fundit nuk do të paguhen. Punonjësit do të shpërblehen me pushim në bazë të orëve shtesë të punës. “Orët e punës mbi kohen normale të punës kompensohen brenda 2 muajve me pushim të barabartë me orët shtesë të kryera, plus 25 për qind të tyre”. Dokumenti që mban firmën e ministrit Bode parashikon edhe kufizimin. “Në asnjë rast punonjësi i administratës publike që kryen veprimtari administrative nuk kompensohet financiarisht për kohën e punuar mbi kohën normale të punës, por kompensohet vetëm me orë/ ditë pushimi.” Nga ky rregull çuditërisht udhëzimi përjashton pedagogët e universiteteve dhe punonjësit që kryejnë veprimtari operacionale. “Me veprimtari operacionale konsiderohen ato veprimtari të cilat kanë një kohëzgjatje të pandërprerë (sistem 24-orësh/sistem gatishmërie), si dhe veprimtaria e mësimdhënies në arsimin e lartë universitar.” Përjashtimi nga pagesa bëhet edhe për lejet vjetore, pra pushimet. Në mes të sezonit të pushimeve, Ministria e Financave ka vendosur që lejet 2-javore të mos merren në fundjavë dhe të mos mbarojnë në fundjavë. Duket paradoksale, por vendimi parashikon që administrata që ka të shtunën dhe të dielën pushim, të mos bashkojë këto ditë me lejet sezonale. Nga ana tjetër, vendimi parashikon që nga leja e përgjithshme nuk mund të merren ditë të veçanta pushimi. Sipas Bodes, pushimi do të merret të paktën me 6 ditë të vazhdueshme. “Kur punonjësi kërkon kryerjen pjesore të këtij pushimi, kjo periudhe nuk mund të jetë më pak se 6 ditë në vijim dhe në çdo rast të pushimeve pjesore, dita e fillimit dhe e përfundimit nuk mund të jetë ditë e shtunë apo e diel. Kështu, nëse një punonjës i merr pushimet vjetore pjesore deri në dy jave kalendarike, dita e fillimit dhe e përfundimit të pushimit pjesor do të jetë ditë pune.” E thënë më thjeshtë, në rast se një punonjës i administratës kërkon dy ditë pushim nga leja e përgjithshme, atij nuk do t’i jepen. Duhet të marrë patjetër 6 ditë në vijim të njëra tjetrës. Nga ana tjetër, kush nuk e ka bërë lejen, nuk do të marrë para, siç ka qenë më parë, por do të kompensohet me pushim. Pra, duhet ta bëjë lejen me “detyrim”. Kjo leje, në rast se nuk bëhet brenda vitit, duhet me “detyrim” të kryhet brenda 31 marsit të vitit tjetër. Udhëzimi parashikon qartë: “Nuk lejohet kompensimi financiar i pushimit vjetor të pakryer.

UDHEZIM

I- Mbi punën e kryer mbi kohën normale

1. Nëpunesit/punonjësit në administratën publike, në raste të veçanta dhe të domosdoshme mund t’i kërkohet nga titullari i institucionit të punojë mbi kohën normale të punës për kryerjen e një detyre të caktuar. Orët e punës mbi kohën normale të punës kompensohen brenda 2 muajve me pushim të barabartë me orët shtesë të kryera, plus 25 për qind të tyre, kur këto orë janë kryer në ditë të zakonshme pune apo me orët shtesë të kryera, plus 50 për qind të tyre, kur orët janë kryer në ditë pushimi, ditë feste apo nga ora 22:00-6:00.

2. Për të kryer një detyrë të caktuar jashtë kohës normale të punës për të gjithë punonjësit e administratës, titullari i institucionit miraton urdhrin përkatës për detyrën që duhet të kryhet, kohëzgjatjen e saj dhe punonjësit që ngarkohen në kryerjen e kësaj detyre. Njësitë e personelit në bashkëpunim me eprorin e punonjësit që caktohet të punojë jashtë kohës normale të punës, marrin masat e duhura për të siguruar realizimin e detyrës së caktuar, si dhe për të përcaktuar kohën e kryerjes së pushimit të përllogaritur sipas pikës 1 të këtij udhëzimi. Në asnjë rast, punonjësi i administratës publike që

kryen veprimtari administrative nuk kompensohet financiarisht për kohën e punuar mbi kohën normale të punës, por kompensohet vetëm

me orë/ditë pushimi.

3. Nëpunësi dhe punonjësi i administratës që kryen veprimtari operacionale, si rregull, kompensohet me orë/ditë pushimi. Mund të kompensohen financiarisht punonjësit që kryejnë veprimtari të drejtpërdrejtë operacionale

vetëm kur plotësohen dy kushtet e mëposhtme:

a) kur është e pamundur dhënia e pushimit për orët shtesë të punuara, për shkak të natyrës së veprimtarisë operacionale, ndërprerja e së cilës cenon funksionalitetin e institucionit,

b) kur institucioni ka fonde të miratuara për këtë qëllim në buxhetin vjetor të tij.

4. Me veprimtari operacionale, në kuptim të këtij vendimi, konsiderohen ato veprimtari të cilat kanë një kohëzgjatje të pandërprerë (sistem 24-orësh/sistem gatishmërie), si dhe veprimtaria e mësimdhënies në arsimin e lartë universitar. Në raste specifike, merret miratimi i ministrit të Financave.

5. Masa maksimale e kompensimit financiar, si dhe mënyra e llogaritjes së tij bëhet sipas legjislacionit në fuqi. Masa e kompensimit përfshihet në listpagesën e muajit kur janë kryer orët shtesë.

6. Planifikimi i fondeve të nevojshme për orë të punuara mbi kohën normale të punës, bëhet gjatë procesit të hartimit të projektbuxhetit të vitit pasardhës dhe regjistrohet në databazën e pagave të Ministrisë së Financave për çdo ministri dhe institucionit qendror buxhetor. Kërkesa për planifikimin e fondit përkatës dhe regjistrimi i tij në databaze bëhet në nivel ministrie dhe institucioni qendror dhe paraqitet nga titullari i ministrisë/institucionit qendror, duke dhënë argumentet mbi pamundësinë e kompensimit fizik me orë/ditë pushimi të orëve të punuara mbi kohën normale të punës.

II- Mbi kryerjen e pushimeve vjetore pjesore

7. Nëpunësi/punonjësi i administratës publike gëzon të drejtën e kryerjes së pushimit vjetor të paguar. Nuk lejohet kompensimi financiar i pushimit vjetor të pakryer.

8. Për kryerjen e pushimeve vjetore të paguara, nëpunësi/punonjësi i administratës publike pas miratimit paraprak nga eprori i tij, kërkon pranë njësisë së personelit pushimin e tij vjetor duke përcaktuar qartë ditën e

fillimit dhe kohëzgjatjen e tij. Kjo kërkesë bëhet efektive për punonjësin pas miratimit me shkrim nga njësia e personelit të institucionit.

9. Nëpunësi/punonjësi i administratës publike ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor të paguar edhe në periudha të ndryshme e të ndara në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kur punonjësi kërkon kryerjen pjesore të

këtij pushimi, kjo periudhë nuk mund të jetë më pak se 6 ditë në vijim dhe në çdo rast të pushimeve pjesore dita e fillimit dhe e përfundimit

nuk mund të jetë ditë e shtunë apo e diel. Kështu, nëse një punonjës i merr pushimet vjetore pjesore deri në dy javë kalendarike, dita e fillimit dhe e përfundimit të pushimit pjesor do të jetë ditë pune.

10. Ngarkohet njësia përkatëse e personelit të monitorojë grafikun e pushimeve vjetore për çdo punonjës dhe të njoftojë punonjësin

dhe eprorin e tij në rastet kur punonjësi nuk ka kryer plotësisht pushimin vjetor. Ky njoftim bëhet brenda datës 30 dhjetor të vitit aktual dhe për çdo rast që konstatohet se nuk është kryer plotësisht pushimi vjetor, njësia e personelit në bashkëpunim me eprorin e punonjësit miratojnë skedulimin e ditëve të mbetura të pushimit vjetor, të cilat duhen detyrimisht të kryhen deri me 31 mars të vitit të ardhshëm.

    

     Share    

Propozuar nga:

lexuar 2918 here          0 komente           votuar here

Identifikohu per te shkruajtur dhe lexuar komente !Lexo Komentet